Kryeministri Ramush Haradinaj në Mejë. Foto: ZKM

Haradinaj: Në Mejë na ruajnë varret dhe gjaku i martirëve

Kryeministri i Kosovës, Ramush, Haradinaj bëri homazhe në nderim të viktimave të Mejës duke vënë kurora lulesh.

“Në Mejë na ruajnë varret dhe gjaku i martirëve, të cilët janë nderi ynë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj në Tubimin Qendror Përkujtimor në Kompleksin Memorial në Mejë.

Duke kujtuar dhe shprehur ndjenjën e posaçme për Mejën, kryeministri Haradinaj tha se do të kujdeset që ky Kompleks, që është nderi i shqiptarëve, të na nderojë edhe në mënyrën se si do t’i tregohet vetes dhe botës për të vërtetën tonë, sakrificën dhe çmimin tonë për liri.

Kryeministri tha se mund ta kthejmë në dritë këtë dhimbje, nëse do të dinim t’i tregonim botës rrugën tonë deri në liri dhe kujt i takojmë.

“Kosova e ka fatin e madh dhe ky vend e dëshmon që ne dëshirojmë t’i takojmë popujve të lirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ne jemi rreshtuar për t’i takuar botës së mençur dhe popujve euroatlantik.

Kryeministri më tutje theksoi se popujt e lirë kanë ditur të vendosin demokraci të mirëfilltë dhe respektuar të drejtat e njeriut.

“Ne jemi në nisje dhe nisjet janë të rënda, por ne nuk lëkundemi në përcaktimin tonë euroatlantik”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Evropa s’ka pse të vonohet për të na pranuar edhe ne në familje, sepse Kosova është bërë shtet vonë, por ekziston mijëra vjet më parë.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova duhet të njihet nga vendet që ende se kanë njohur dhe nga fqinjët e saj, të anëtarësohet në BE, NATO dhe OKB.

Kryeministri poashtu tha se duhet synuar krijimin e një shoqërie me vlerë të re, në ekonomi, arsim dhe shumë fusha tjera.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se sot, kur kujtojmë këta martirë, do të bëjmë të pamundurën që në 20 vjetorin e masakrës së Mejës, masakrës më të madhe në Kosovë, ky memorial të jetë i përfunduar.

Ky tubim u organizuar në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës, në kuadër të ‘Javës për Personat e Pagjetur’.