FOTO: Facebook

Haradinaj: Në Berlin u dakorduam se s’do të ketë diskutim për kufij - VIDEO

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se gjatë ditës së djeshme ka pasur një dakordim nga të gjithë të pranishmit në Berlin se nuk do të ketë diskutim për çështje të territorit dhe të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Dje ka qenë një dakordim i të gjithëve që s’do të ketë diskutim ma tutje për territor dhe kufij, por bisedimet do të bëhen për njohje reciproke”, tha Haradinaj në një paraqitje publike nga Berlini.

Sipas tij, Kancelarja Merkel është kundër hapjes së temës së kufijve që do të hapte pikëpyetje.

“Kancelarja ka qenë e qartë që në nuk është zgjidhje diskutimi për kufij dhe territore sepse hap pikëpyetje të mëdha dhe mendoj se Gjermania e ka konfirmuar qëndrimin e vazhdueshëm dhe e falënderoj për këtë qëndrim”, tha Haradinaj.

Sipas tij, dialogu ka devijuar në momentin kur është filluar të diskutohet për territore.

“Kemi pasur një proces të dialogut, ai proces ka deviju. Ka kriju edhe dëme në marrëdhëniet Kosovë Serbi sepse ka devijuar edhe në diskutime të territorit e kufijve. Taksa është vendosur si masë mbrojtëse pasi që na rrezikon Serbia”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndonëse presidenti Thaçi dje deklaroi se taksa është e ligjshme dhe do të merren masa të tjera, kryeministri Haradinaj tha se edhe dje ka pasur një propozim për pezullim të taksës. Ky propozim, sipas Haradinajt ishte edhe nga Thaçi.

“Ka pasur propozim për pezullim të taksës. Ka qenë një situatë e rëndë me Kancelaren Merkel, me Presidentin Macron, me kryeministrin Rama, me Presidentin Thaçi, kanë qenë të gjithë të mendimit që është mirë me pezullu një kohë. Me i dhanë një mundësi kësaj”, tha në mes tjerash Haradinaj.

Mirëpo sipas tij, vetëm marrëveshja për njohje, i zgjidh problemet e tjera.

“Zgjidhja është marrëveshja për njohje, dhe me këtë marrëveshje zgjidhen të gjitha temat tjera”, tha Haradinaj.