Foto: ZKM

Haradinaj: Mirënjohës për angazhimin e Kryqit të Kuq ndër dekada për qytetarët e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në manifestimin për nder të 8 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe 100 vjetorit të Federatës Ndërkombëtare të shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se për të është një moment ndryshe nga përditshmëria, sepse jeta është më shumë se partitë politike, qeverisja e shumë sfera tjera të jetës.

“Ajo është një dimesion, të cilin me kujdesin më të madh e përfaqëson për jetën e qytetarëve, Kryqi i Kuq, i cili është angazhuar ndër dekada për qytetarët e Kosovës, për mirëqenien e tyre, shëndetësinë”, theskoi Haradinaj.

Po ashtu, sipas Haradinajt, Kryqi i Kuq iu është përgjigjur edhe shumë pyetjeve mjaft të ndjeshme, siç është çështja e të pagjeturve dhe çështje të tjera duke shtuar edhe faktin se Kryqi i Kuq në Kosovë funksionon në bazë të ligjit dhe si i tillë jo vetëm që ka statusin ligjor, por edhe gjithë parametrat e tjerë, që e bëjnë një partner serioz të të gjitha organizatave ndërkombëtare.

“Në kohën kur ishim refugjatë e të zhvendosur, në kohën kur kishim vështirësi në furnizim, kur kanë munguar barërat, në kohëra kur ishim në rrezik, kishte aktivistë nga Kryqi dhe Gjysmëhëna e Kuqe nga mbarë bota që na u gjendën pranë dhe për këtë u jemi mirënjohës”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Hardinaj potencoi edhe faktin e rritjes së aksidenteve në Kosovë. Ai tha se po mungon aftësia e mirë ose kujdesi, prandaj për këtë, dhënia e ndihmës së parë është e rëndësishme dhe dhënia e kursit do të ishte mirë të jepet me një kosto më reale nga Ministria e Transportit.

“Ne do të përkrahim Kuqin e Kuq të Kosovës, Gjysmëhënën e Kuqe edhe për faktin se kemi besim të plotë në lidershipin e Kryqit të Kuq të Kosovës, zonjën Feride Hyseni dhe të tjerët, të cilët kanë dhënë shumë nga vetja në shërbim të qytetarëve pa dallim etnie dhe pa kurrfarë dallimi të ndonjë përkatësie tjetër”, tha Haradinaj.

Ndërsa, kryetarja e Kryqit të Kuq në Kosovë, Feride Hyseni, tha se Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, ndër vite ka bashkëpunuar dhe përkrahur Kryqin e Kuq të Kosovës në zhvillimin dhe përsosjen e programeve. Hyseni shtoi se Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si komponentë e Lëvizjes, përveç bashkëpunimit të përgjithshëm, kontribut të veçantë ka, zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në Kosovë.

Agim Gashi, shef i Misionit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Kosovë, u shpreh se është shumë e rëndësishme përkrahja institucionale shtetërore për Kryqin e Kuq, e cila reflekton dhe rezulton progres në rrafshin global dhe atë humanitar.

“Ne vazhdojmë ta përkrahim Kryqin e Kuq të Kosovës  në fusha të ndryshme me qëllim fuqizimin e kapaciteteve profesionale, githmonë duke synuar të ndërtojmë procesin e ndërtimit të një shoqate të fuqishme që zhvillon aktivitete në përputhshmëri të plotë me standarde të parimeve të Lëvizjes së Kryqit Kuq”, tha Gashi.