Haradinaj: Me rritjen e buxhetit dhe Ligjin për Pagat ngritet cilësia në arsim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në takim me drejtoreshën e Edukimit Botëror për Rajonin e Europës (ETUCE), Susan Flocken, kanë pasur një diskutim të hapur rreth trajtimit të edukimit në Kosovë.

Haradinaj ka thënë se u vlerësua se me rritjen e buxhetit prej 12 për qind për arsimin për vitin 2019 dhe Ligjin për Pagat, është siguruar avancimi i pozitës materiale dhe janë krijuar parakushte për ngritjen e cilësisë në arsim.

“Në takim me drejtoreshën e Edukimit Botëror për Rajonin e Europës (ETUCE), Susan Flocken, patëm një diskutim të hapur rreth trajtimit të edukimit në Kosovë, nga e cila u vlerësua se me rritjen e buxhetit prej 12% për vitin 2019 dhe Ligjin për Pagat, është siguruar avancimi i pozitës materiale përfshi kushtet e punës së mësimdhënësve, si dhe janë krijuar parakushte për ngritjen e cilësisë në arsim”, ka shkruar kryeministri të martën.

Tutje ka shtuar se përmes dialogut të vazhdueshëm me partnerët socialë, Qeveria do t’u përgjigjet sfidave për të qenë në hap me dinamikat globale.