Ramush Haradinaj - RTK

Haradinaj: Me ligjin e ri do të rregullohet statusi i të zhdukurve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në kompleksin memorial në Mejë për ditën e të pagjeturve të luftës ka thënë se një ligj i ri është në diskutim publik që ka për qëllim që të rregullohet statusi i personave të zhdukurve dhe martirëve të kombit.

“Ligji për personat e zhdukur është ligj i ri i cili është në diskutim publik, qëllimi kryesor është që të rregullohet statusi i personit të zhdukur dhe martirëve të kombit. Me ligjin e ri nuk ka mekanizma që do të ndalojnë pensioni i familjeve të zhdukurve pas gjetjes si ka ndodh deri me tani. Me 25 prill 2019 është publiku, afati i diskutimit është deri me 17 maj dhe për 15 ditë dërgohet në Qeveri e që i bie që nga gjysma e qershorit të jetë në parlament”, ka thënë Haradinaj.

Ai para familjarëve dhe qytetarë të tjerë të shumtë që po marrin pjesë, ka thënë se me këtë ligj do të këtë rritje të mbështetjes shëndetësore, në arsim, lehtësira doganore e të tjera shërbime komunale.

“Me ligjin e ri ka rritje të mbështetjes shëndetësore, mbështetjes në arsim, e drejta e bursës dhe sistemit në konviktin, në shërbimet sociale, lehtësime dogane, lehtësira në rrymë e shërbime të tjera komunale. Familje do të kenë përkrahje të dinjitetshme, meritore dhe institucionale”, ka përfunduar Haradinaj.

Në këtë tubim po marrin pjesë edhe Presidenti Hashim Thaçi, ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett e të tjerë zyrtarë.