Haradinaj: Masakra e Srebrenicës na kujton një epokë të errët

Më rastin e 24 vjetorit të masakrës së Srebrenicës, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se kjo masakër, na e kujton një epokë të errët dhe një akt barbar të një regjimi mizor.

Haradinaj ka shkruar në rrjetin social ‘Facebook’, së masakra në Srebrenicë dhe të tjera në Ballkan mbeten njolla të pa shlyera në ndërgjegjen e njerëzimit.

“Në 24 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, nderojmë me respekt mijëra viktima civile, fëmijë, gra, të moshuar, njerëz të pafajshëm dhe të pambrojtur. Kjo masakër, na e kujton një epokë të errët dhe një akt barbar të një regjimi mizor. Masakra në Srebrenicë dhe vrasjet tjera masive në Ballkan nga regjimi i Millosheviqit dhe vartësve të tij, mbeten njolla të pa shlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia e munguar”, ka shkruar kreu i ekzekutivit, të enjten.

“Sot, Kosova është me popullin e Bosnjës, me familjet dhe dhimbjen e tyre”.