Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj: Marrëdhëniet me Nismën Socialdemokrate nuk e rrezikojnë Qeverinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka folur për koalicionin qeverisës dhe raportet me Nismën Socialdemokrate.

Ai ka thënë se partneritetin me Nismën e kanë ndërtuar që nga koha e koalicionit VLAN (Lëvizja Vetëvendosje, LDK, AAK, Nisma).

Poashtu ai ka shtuar se kjo marrëdhënie me Nismën nuk e rrezikon Qeverinë.

“Marrëdhëniet mes AAK dhe Nismës dallojnë që nga koha e VLAN-it. Që atëherë kemi ndërtuar marrëdhënie partneriteti. Ne kemi hy bashkë në koalicion me PDK-në. Nganjëherë ka diskutime me zyrtarëve e partisë, por raportet janë të mira. Nuk dihet kur është fundi i Qeverisë. Marrëdhëniet me Nismën nuk e rrezikojnë këtë Qeveri”, ka shtuar Haradinaj.

Sot gjatë ditës, kryeministri Haradinaj është takuar me kryetarin e Nismës Socialdemokrate dhe me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj për të diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit.

“Takim pune me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe për të bashkërenduar agjendën qeverisëse”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.