Kryeministri Haradinaj dhe ambasadori gjerman, Christian Heldt në Ditën gjermane të bashkëpunimit - Foto: ZKM

Haradinaj: Marrëdhëniet me Gjermaninë - Strategjike dhe të Veçanta

Në Ditën gjermane të bashkëpunimit, që u organizua nga Ambasada gjermane në Kosovë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë janë strategjike dhe të veçanta.

“Në kohëra të vështira, përkrahja gjermane ishte vendimtare për përpjekjet e paqes dhe shtetndërtimit në Kosovë, dhe sot Gjermania vazhdon të jetë përkrahësja më e madhe e Kosovës euroatlantike, e sigurisë dhe stabilitetit të saj”, citohet të ketë thënë Haradinaj.

Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, Haradinaj ka theksuar se Gjermania është donatori i dytë më i madh në Kosovë, me rol të rëndësishëm në të gjitha aspektet e agjendës zhvillimore, si në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, administratë publike dhe demokraci dhe në fushën e energjisë.

Kryeministri Haradinaj tha se kosovarët që jetojnë në Gjermani, janë vlerë e shtuar e marrëdhënieve Kosovë-Gjermani.

“Me këtë intensitet të bashkëpunimit, jo vetëm që nuk do të ketë më refugjatë nga Kosova në Gjermani, por edhe shumë prej tyre që sot jetojnë në Gjermani mund të kthehen për investime në Kosovë”, ka shtuar ai.

Duke folur për asistencën financiare të Gjermanisë në Kosovë, kryeministri tha se kjo nuk është vetëm monetare, por edhe ekspertiza dhe këshillat gjermane janë të vlefshme për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Ndërsa, ambasadori gjerman, Christian Heldt, pasi vlerësoi bashkëpunimin dhe besimin e thellë mes dy vendeve, tha se Gjermania dhe Kosova mund të jenë krenare për marrëdhënien e tyre të gjatë, miqësore dhe të suksesshme.