
Ramush Haradinaj. Foto: Kallxo.com
Haradinaj: Liria nuk mund të jetë e pjesshme
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Kryeministri Ramush Haradinaj u zotua që nuk do të ndalet derisa në Kosovë të krijohet një ambient plotësisht i sigurt për gazetarët.
“Kosova, sipas raporteve ndërkombëtare ka bërë një përparim të ndjeshëm sa i përket lirisë së medias, por ne nuk do të ndalemi derisa të krijojmë një ambient plotësisht të lirë e të sigurt për gazetarët”, shkroi Haradinaj në facebook.
Ai kërkoi bashkëpunim me gazetarët për ta përmirësuar lirinë e tyre.
“Liria nuk mund të jetë e pjesshme, prandaj i ftoj gazetarët kosovarë që të punojmë në partneritet të ngushtë, që ta ndryshojmë këtë gjendje”, vijoi Haradinaj postimin e tij.
Ai lirinë e shtypit e konsideroi levë të demokracisë.
“Liria e shprehjes dhe e shtypit janë levat e demokracisë, kësisoji të panegociueshme dhe duhet të shkojnë bashkë të integruara me përgjegjësinë”, shkroi Haradinaj.
Raporti i Freedom House e vlerëson Kosovën vend pjesërisht të lirë sa i përket lirisë së shprehjes, ndërsa Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit gazetarët kosovarë e shënuan me protestë.