Ilustrim Parada e krenarisë - Foto: Atdhe Mulla
Haradinaj: LGBTI dhe Java e Krenarisë do ta kenë mbështetjen institucionale
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se orientimi seksual është përcaktim individual në secilën shoqëri, dhe sipas tij duhet respektuar.
Haradinaj në rastin e Paradës së Krenarisë që do të mbahet sot , ka shkruar në rrjetin social që LGBTI dhe Java e Krenarisë do ta kenë mbështetjen institucionale.
“Orientimi seksual është përcaktim individual në secilën shoqëri dhe si i tillë duhet respektuar.Është fat i madh që duke qenë shtet i ri ne kemi Kushtetutën, që siguron liri individuale për të gjithë.LGBTI dhe Java e Krenarisë do ta kenë mbështetjen institucionale, për të qenë të lirë dhe sigurt në shfaqjen e përcaktimit të tyre”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Parada e Krenarisë do të fillojë në ora 11:30 në sheshin “Skënderbeu” dhe do të përfundojë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Pas përfundimit të Paradës do të mbahet një fjalim në lidhje me ngjarjen dhe do të përfundojë me një koncert të shkurtë.