Haradinaj: Kosova nuk jep tokë për njohje

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj  në akademinë përkujtimore për heroin Enver Hadri, ka ripërsëritur qëndrimet e tij për dialogun Kosovë-Serbi si dhe vendosmërinë e tij për taksën për  produktet serbe.

Ai tha se dialogu Kosovës –Serbi është devijuar dhe se Kosovës i nevojitet shembulli i Enver Hadrit që të mos përsëritet historia e ndarjes.

“Sot 20 vjet pas çlirimit kur po hyjmë në dekadën e dytë të  pavarësisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u deviju nga disa qarqe në Kosovë dhe Bruksel, duke u shndërruar në dialog për territore. Prandaj, sot na duhet shembulli i heroit tonë, Enver Hadri që të mos na përsëritet historia”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj theksoi se Kosova nuk jep tokë për njohje, edhe në rast se një gjë e tillë kërkohet.

“Vendosmëria për të qëndruar në drejtën e  Kosovës së 17 shkurtit është rreshtim i drejtë në anën e historisë, dhe ne po ashtu me vendimin e marrë për të bllokuar mallrat serbe, pra taksa 100 për qind është po ashtu veprim që pengon formalizmin e një ndarje.  Kosova nuk jep tokë për njohje, edhe nëse ky është çmimi, Kosova nuk ka nevojë për njohje nga Serbia”, tha ai.