Haradinaj: Kosova ju jep mbështetje prodhuesve për depërtim në tregjet ndërkombëtare

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka vizituar kompaninë Elkos Group, si dhe ka takuar pronarin e kësaj kompanie deputetin Ramiz Kelmendi.

Sipas Haradinaj kjo vizitë i ka ndihmuar që të shohë nga afër punët që bëhen nga kjo kompani si dhe i ka ndihmuar të shohë se çfarë hapa duhet të marrë qeveria për fuqizimin e sektorit të ekonomisë.

“Si një ndër taksapaguesit dhe punëdhënësit më të mëdhenj në vend, Elkos Group, me pronar Ramiz Kelmendin, i ka dhënë shtytje në vazhdimësi ekonomisë së Kosovës. Vizitova sot ambientet e fabrikave të ”Egi Group” në kuadër të Elkos Group, ku u njoha nga afër me rritjen progresive të sasisë së shitjeve në treg të prodhimeve cilësore të fabrikës ushqimore PI&KI, të leckave të lagura dhe atë të qeseve të plastikës, si dhe mora inputet për hapat e ardhshëm që Qeveria duhet të ndërmerr për fuqizimin e prodhuesve vendor”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Sipas tij Kosova është në rrugën e duhur për ti ndihmuar bizneseve në punën e tyre.

“Kosova me tatimet më të ulëta në rajon si dhe lehtësirat tjera fiskale, iu jep mbështetje prodhuesve për zgjerim të kapaciteteve dhe depërtimin në tregjet ndërkombëtare, e në të njëjtën kohë për të rritur numrin e punëtorëve”, ka theksuar Haradinaj.