Haradinaj: Kosova e gatshme të jetë pjesë e NATO-s

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar sot me ministren e Mbrojtjes së Italisë, Elisabetta Trenta, të cilën e ka njoftuar për zhvillimet e fundit politike në vend, përmirësimin e situatës së sigurisë, ndërtimin e raporteve të mira me fqinjët, dhe për të arriturat e Kosovës në ndërtimin e një sistemi të mirë në sundimin e rendit dhe ligjit.

Duke vlerësuar rolin e madh të Italisë për progresin e Kosovës, kryeministri Haradinaj shprehu përkushtimin për bashkëpunim të mëtejmë me Italinë, duke kërkuar mbështetjen e ministres Trenta në proceset e rëndësishme për vendin, me theks të veçantë për tranzicionin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

“Duhet të jeni krenarë me ushtarët tuaj që i keni dërguar në Kosovë. Ata kanë shërbyer me profesionalizëm dhe dinjitet dhe i kanë dhënë imazhin më të mirë vendit tuaj. Kosova është e gatshme t’i bashkohet misionit të NATO-së në ofrimin e paqes në botë”, ka shtuar Haradinaj.

Ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Elisabetta Trenta vlerësoi të arriturat në të gjitha fushat me rëndësi për vendin, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të Italisë në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Në takim të pranishëm ishin edhe ministri i Forcës së Sigurisë në Kosovë, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së  Rrahman Rama dhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu mori pjesë edhe në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë.