Haradinaj: Komunitetet joshumicë të përfshihen në dialog

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar mëngjesin e sotëm me deputeten e komunitetit turk, Müfera Şinik dhe Enis Kervan, me të cilën kanë biseduar rreth procesit të dialogut.

Haradinaj në Facebook ka shkruar se ka kërkuar që edhe komunitetet joshumicë të përfshihen në procesin e dialogut.

“Me qëllim që në Delegacionin Shtetëror për Dialogun me Serbinë të përfshihen edhe komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë, këtë mëngjes bashkëbisedova me deputeten e komunitetit turk, Müfera Şinik dhe Enis Kervan, ekspertiza e të cilit do të jetë e mirëseardhur në procesin e dialogut të Brukselit. Komunitetet joshumicë përfshirë edhe turqit janë pjesë e pandashme e realitetit të Republikës së Kosovës duke u dhënë mbështetje të gjitha proceseve të shtetndërtimit. Fuqizimi i turqve të Kosovës në kontekst të dialogut me Serbinë ndikon në forcimin e pozicionit të vendit tonë si shoqëri e vlerave, siç janë shumëetniciteti dhe diversiteti kulturor”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Dje në Kosovë ka qëndruar për vizitë drejtori i përgjithshëm për çështje politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, i cili ka rikonfirmuar mbështetjen e Britanisë së madhe për Kosovën në rrugën e integrimit euro-atlantik. Edhe Britania e Madhe ka kërkuar pezullimin e taksës për t’i hapur rrugë procesit të dialogut me Serbinë, ndërsa ka theksuar se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi duhet të sjellë njohje reciproke./21Media