Haradinaj: Kjo rrugë para 20 vitesh ishte rrugë e braktisjes së atdheut

Në ceremoninë inauguruese të autostradës Prishtinë-Han i Elezit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se sot janë bërë bashkë për me t‘iu gëzuar kësaj vepre moderne, e cila sipas tij, i jep një pamje të re jo vetëm peizazhit të Kosovës por tërë rajonit.

Haradinaj tha se para 20 vjetësh, kjo rrugë e kishte domethënien e braktisjes së atdheut, për të kërkuar shpëtim, mirëpo sipas tij, sot kosovarët marrin frymë lirshëm dhe me guxim shohin përtej fatkeqësive.

“Shpresoj shumë që me mikun tim Zoran Zaev së shpejti do të jemi bashkë në përurimin e pjesës së mbetur deri në Shkup, në territorin e Maqedonisë Veriore. Janë para të taksapaguesve të Kosovës, ju garantojmë me përgjegjësinë më të madhe se me respektin më të madh është bërë kujdes që ky investim të jetë në përputhje me obligimet ligjore që kanë institucionet e vendit që sot ta kemi të përfunduar. Kemi hasë në sfida deri këtu, por nuk jemi ndalë, kemi pasur besim”, ka deklaruar kryeministri.

I pari i Qeverisë së Kosovës, tutje ka falënderuar kompaninë Batchel&Enka, ‘për këtë punë kaq të mirë’.

Haradinaj gjithashtu ka thënë se i fton të gjithë të pranishmit në këtë përurim, që së shpejti të bashkohen në nisjen e punimeve për autostradën e Dukagjinit.

Pas një pune të gjatë prej disa vitesh, sot u përurua autostrada Prishtinë – Elez Han “Arbën Xhaferi”, e cila i ka kushtuar buxhetit të vendit rreth 700 milionë euro.

Në hapje po marrin pjesë krerët e shtetit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi e zyrtarë të tjerë ishin të pranishëm në ceremoninë inauguruese.

Hapja e Autostradës Prishtinë-Shkup po bëhet me pesë muaj vonesë, pasi një gjë e tillë ishte e planifikuar të bëhej më 31 dhjetor të vitit 2018, mirëpo kjo nuk ndodhi.

Për këtë autostradë, nga buxheti i shtetit i janë paguar 53 milionë euro më shumë kompanisë punëkryese Bechtel & Enka.

Lidhur me punët që i kanë kryer disa kompani vendore kanë protestuar para kampit të Bechtel – Enka-s në Ferizaj, për moskryerjen e pagesave për punët që sipas tyre i kane kryer për Bechtel – Enka-n.

Ndërkohë, Qeveria të martën (28.05.2019) ka vendosur për investime shtesë, pasi pritet të ndërtohen edhe dy kyçje të reja në këtë autostradë, një në Ferizaj dhe një në Viti, dy kyçje këto që ende nuk është bërë publike sa do kushtojnë.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dy ditë më parë i ka obliguar gjithë stafin e Ministrisë që të jenë prezent në ceremoninë e përurimit të kësaj autostrade.

Autoudhën “Arbën Xhaferi” në vitin 2014 e filloi ministri Fehmi Mujota i PDK-së, i cili nënshkroi kontratën me “Bechtel & Enka”, e vazhdoi ministri i LDK-së, Lutfi Zharku e po e përfundon sot, ministri nga AAK, Pal Lekaj.

Autostrada e re është e gjatë 65 kilometra, ndërsa ajo ka edhe urën më të gjatë në rajon, me 5 mijë e 700 metra dhe lartësi prej 83 metra.

Kjo rrugë lidhë shtetin e Kosovës me atë të Maqedonisë Veriore.

 

Kush e Gjuajti Gurin 53 Milionësh në Autostradë?

.