Ramush Haradinaj - Nexhat Daci

Haradinaj kërkon përfshirjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në proceset e vendit

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Akademisë  së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës  biseduan rreth zhvillimeve aktuale në Kosovë dhe rajon, për proceset në të cilat është duke kaluar Kosova, me theks të veçantë për rrugën e integrimeve euroatlantike dhe procesin e dialogut me Serbinë.

Tutje Haradinaj, ka kërkuar nga akademik Daci, që në proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës, të përshihet edhe më shumë Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.

“Kontributi dhe roli juaj dhe i institucionit të cilin e drejtoni do të ishte i rëndësishëm për vendin, pasi që jemi në një situatë mjaft delikate dhe duke u përballur me definimin e shumë çështjeve të cilat janë jetike për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci, tha se institucioni të cilin e udhëheq do të ofroj kontributin e vet dhe përkrahjen e gjithanshme për vendin.