Mbledhja e dy Qeverive - Foto: Edi Rama / VIDEO

Haradinaj Kërkon Ndihmën e Ramës për Njohje të Reja

Në mbledhjen e katërt të përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, që po mbahet në Korçë, ka folur edhe kryeministri, Ramush Haradinaj.

Ai ka kërkuar nga Qeveria shqiptare që t’i dalë në ndihmë Kosovës në rrugën drejt anëtarësimi në organizata ndërkombëtare e në marrjen e njohjeve të reja.

“Në planin ndërkombëtar Kosova ende është në vështirësi për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë, në organizatat ndërkombëtare, në marrjen e njohjeve, dhe këtu dëshiroj të kërkoj dhe të apeloj që edhe Shqipëria mund të ndihmojë Kosovën në këto procese që janë shumë me rëndësi për forcimin e pavarësisë tonë”, tha në mes tjerash Haradinaj.

Ai gjithashtu ka folur edhe për punën e Qeverisë së Kosovës në këta pak muaj që nga formimi i saj.

“Agjenda evropiane e Kosovës është integruar dhe tani është program qeverisës i Kosovës. Ne i kemi kushtuar rëndësi shumë forcimin të rendit dhe ligjit, kemi përkrahur këshillin gjyqësor, prokurorial e mekanizmave tjerë. Ne po punojmë në ekonomi, veçanërisht me prodhuesit e vegjël e të mesëm”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj foli edhe për sfidat e Kosovës në rrugën e dialogut me Serbinë, ku edhe njëherë përsëriti idenë e pjesëmarrjes së SHBA-ve në procesin e dialogut.

“Po punojmë në forcimin e Kosovës në planin e brendshëm edhe pse Kosova ballafaqohet me shumë sfida, mirëpo ajo çfarë duhet të them jemi të vendosur për dialogun me Serbinë dhe mendojmë se epilogu i dialogut duhet ta sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe mendojmë që dialogu për ta arritur epilogun e duhur e mendojmë pjesëmarrjen e ShBA-së në dialog e të lehtësuar nga BE-ja”, tha Haradinaj.

Ndërsa kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama tha që askush nuk mund t’i ndalë më Kosovën dhe Shqipërinë ta shkruajnë historinë moderne të dyja shteteve.

“Sot, këtu nga Korça, askush nuk mund të pengoj më, që të bëhemi edhe ne shkronjës të historisë moderne. Është në dorën tonë që ta shkruajmë historinë”, tha Rama.

Kjo është mbledhja e katërt ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë dhe hera e parë që Haradinaj po merr pjesë në këtë mbledhje si kryeministër.