Haradinaj kërkon ndihmë nga Finlanda për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, me të cilën ka biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe për bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve.

Sipas një njoftimi për media, Haradinaj e njoftoi ambasadoren Stjernvall për progresin në vend, për prioritetet e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, dhe tema tjera me rëndësi për vendin.

Haradinaj po ashtu e falënderoi ambasadoren Stjernvall për ndihmën që ka dhënë Finlanda për Kosovën në të gjitha proceset dhe tani në shtet ndërtimin e saj.

“Keni qenë mbështetës të vazhdueshëm të Kosovës në shumë procese dhe programe që janë në të mirë të qytetarëve dhe rritjes së mirëqenies së tyre. Andaj kërkojmë mbështetjen e mëtejme dhe thellimin e bashkëpunimit edhe në rrafshin ekonomik””, tha kryeministri Haradinaj, i cili në të njëjtën kohë ka kërkuar mbështetjen e Finlandës për Kosovën, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, gjatë takimit ka shprehur gatishmërinë e shtetit finlandez për përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.