Haradinaj kërkon mbështetje nga Theresa May për finalizimin e dialogut me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot është takuar me kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May, të cilës i ka kërkuar mbështetje në finalizimin e dialogut me Serbinë.

Takimi bilateral ka ndodhur në kuadër të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Poznan të Polonisë.

Haradinaj ka deklaruar se ka informuar kryeministren May, për zhvillimet politike në Kosovë, si dhe ka shprehur vendosmërinë për fuqizimin e partneritetit bilateral mes të dyja vendeve.

Gjithashtu ai ka thënë se gjatë takimit ka kërkuar nga kryeministrja britanike, që ta mbështesë Kosovën në proceset rajonale, e veçanërisht në finalizimin e dialogut me Serbinë.

“Konkretisht në arritjen e një marrëveshjeje, finale, me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Falënderova Kryeministren May për qëndrimin konsistent të Britanisë së Madhe kundër idesë për ndryshim kufijsh dhe këmbim territoresh, si dhe për ndihmën e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë për fuqizimin e sundimit të ligjit, avancimin e administratës publike dhe zhvillim ekonomik në Kosovë”, ka thënë tutje i pari i qeverisë.