Haradinaj: Ideja për këmbim të territoreve, opsion i rrezikshëm

Kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Gjermani, Richard Grenell, me të cilin ka diskutuar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kosova është e gatshme për tregti të lirë me Serbinë, si pjesë e një marrëveshje që rezulton me njohje reciproke.

“Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opcion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin”, ka shtuar kryeministri Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se ambasadorit Grenell i ka treguar për progresin e arritur në vend në fushën e sundimit  të rendit dhe ligjit dhe për përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, gjithmonë në partneritet me aleatët dhe me aspiratat për rrugën euro-atlantike.

“Roli i ShBA-ve në proceset e mëtejme politike të vendit është i domosdoshëm!”, ka shtuar ai.