Ramush Haradinaj e Aleksandar Vuçiq

Haradinaj i shkruan Vuçiqit: Mos e zbatoni skenarin për krizë humanitare në veri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që mos ta zbatojë skenarin e krizës humanitare në veri.

Haradinaj i tha se kjo nuk do t’i shërbejë fare atij dhe se do të jetë përgjegjës për të.

“I nderuar Vuçiq, ju inkurajoj të mos zbatoni skenarin tuaj të njohur mashtrues për të destabilizuar veriun në Kosovë. Kriza e rreme “humanitare” nuk do të shërbejë kurrë si një mburojë për qëllimet tuaja të destabilizimit dhe ju do të jeni përgjegjës”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Twitter.

Ka ditë që ka filluar plani i Serbisë për krizën humanitare në Veri.

E ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka bërë të ditur dje që MTI ka nisur një kontingjent të ushqimit për në veri të vendit.

https://kallxo.com/mti-dergon-nje-kontingjent-ushqimesh-ne-veri-te-vendit/

Në anën tjetër edhe Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me komunitetin e biznesit kanë organizuar hapjen e përkohshme të pikave shitëse në veri të Mitrovicës. Kështu ka bërë të ditur kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas tij, ky aksion, i koordinuar dhe i planifikuar, ka për qëllim ofrimin e të gjitha produkteve elementare për banorët e asaj ane.

“Simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit, mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për gjithë qytetarët e saj, pa dallim”, ka njoftuar Haradinaj.

https://kallxo.com/kriza-ne-veri-serbet-bojkotojne-dyqanet-shqiptare/

.