Haradinaj i rikthehet në Pejë çështjes së Çakorrit

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe i pari i Qeverisë së vendit, Ramush Haradinaj ka folur për demarkacionin me Malin e Zi.

Në 19 vjetorin e degës së AAK-së në Pejë, Haradinaj tha se çështja e kufirit me Malin e Zi është ende në proces.

“Po du me ju siguru këtu në Pejë që çështja e kufirit me Malin e Zi është çështje në proces. Ne dëshirojmë sa më mirë me u marrë vesh me fqinjin tonë, Malin e Zi. Dëshirojmë që kufiri në Çakorr e në Kullë me kanë në respektim të ndërsjellët. Besoj që në mënyrën më të mirë do ta zgjidhim me fqinjin tonë”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Në Pejë ai tha po ashtu se partia e tij ka shënuar rritje në përkrahje.

“Besimi në Aleancë është rritur, e ka kalu 20 përqindëshin”, tha ai.

Por, tema e demarkimit në mes Kosovës dhe Malit të Zi ishte shumë gjatë prezent në skenën politike të Kosovës.

Me protesta brenda e jashtë Kuvendit e me hedhje të gazit lotsjellës nga Vetëvendosje, AAK e Nisma, tri vjet Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta kalojë një marrëveshjen për demarkimin e vijës kufitare me shtetin e Malit të Zi.

Për këtë, një Qeveri u desh të bie e një Qeveri të zgjidhet për t’i dhënë epilog një marrëveshje e cila pretendohej se mund të sjell shumë të mira për vendin.

Pas tri viteve pritje, vetë kryeministri Haradinaj dhe partia e tij votuan kalimin e demarkacionit.

Partia e Albin Kurtit ende nuk pajtohet me versionin e kaluar të demarkimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Me marrëveshjen e re nuk u pajtuan asnjëherë as banorët e asaj ane.