Kryeministri Haradinaj heq nga ndërtesa e Qeverisë ngjyrën me të cilën u sulmua nga aktivistë të VV-së - Foto: Facebook

Haradinaj Heq Ngjyrën e Vetëvendosjes nga Objekti i Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me stafin e kabinetit të tij ka dalë sot për të pastruar objektin e Qeverisë nga ngjyra me të cilën u sulmua dje nga aktivistë të Vetëvendosjes gjatë marshit protestues në njëvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit.

Haradinaj u ka bërë thirrje aktivistëve të Vetëvendosjes, por pa i përmendur, që mos të dëmtojnë pronën shtetërore sepse institucionet janë të popullit.

“Vetë kam humbë njerëz të familjes, në kohë lufte dhe pas saj. Humbjen e familjarëve e ndjejë thellë dhe kam respekt për familjet që kanë përjetuar dhimbjen”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

“Respekt për protestuesit, por shteti i Kosovës ngritet duke e respektuar dhe duke e forcuar atë. Mos e dëmtoni tuajën, sepse institucionet janë të popullit”, ka shtuar ai.

Haradinaj ka premtuar se familjes Dehari do t’i qëndrojnë pranë dhe drejtësia për Astritin do të vihet në vend.

Ndryshe, disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje sulmuan dje me ngjyrë dhe mjete të forta ndërtesën e Qeverisë në kohën kur fjalim po mbante kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i cili nuk u kërkoi atyre që të ndalin këto veprime.

http://kallxo.com/gjuhet-gure-e-ngjyre-ndertesa-e-qeverise-foto/

Lidhur me këto veprime, Policia ka njoftuar se në stacionin policor janë shoqëruar dy të dyshuar.

KALLXO.com transmetoi LIVE marshin protestues të organizuar në njëvjetorin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej si i dyshuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit të kaluar.