Ramush Haradinaj - Kryeministër në dorëheqje

Haradinaj: Ftesa e Speciales ma ka këputur konopin 1-vjeçar

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke komentuar dorëheqjen e tij pas ftesës nga Gjykata Speciale ka thënë se nëse do të shkonte në intervistë si kryeministër do të krijonte një imazh të keq për Kosovën.

“Tani nuk kam aktakuzë, tani ne jemi vend i pavarur, tani shkon shteti, nëse shkon kryetari kjo i bie që ne jemi të prekshëm, pra unë e kam ruajt Kosovën si të paprekshme, unë po e çoj qytetarin Ramush Haradinaj, do të ishte një precedent i keq për shtetin e Kosovës”, ka thënë Haradinaj në T7.

Tutje Haradinaj ka thënë që nuk ka pritur ndonjë ftesë nga Gjykata Speciale për shkak që i është nënshtruar gjykatës ndërkombëtare.

“Tash jam i ftuar si i dyshuar, e di që nuk ka bazë për aktakuzë,  e di që jam i pafajshëm, unë s’kam pasë dilema që nëse vjen thirrja a do t’i përgjigjem. Nuk e kam pritur, për shkak që unë i kam dhënë mundësinë ligjit ndërkombëtar”, tha ai.

Duke komentuar gjendjen emocionale gjatë dorëheqjes nga posti i kryeministrit, Haradinaj ka thënë që se është i mërzitur sepse ka kaluar nëpër momente të rënda. “Ftesa ma ka këput konopin, unë kam qenë në konop gati që 1 vjet, është mirë që spektri politik me qenë i vendosur në agjendë nacionale”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të premten në mbledhjen e qeverisë ka dhënë dorëheqje për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj ka deklaruar se po jep dorëheqje nga posti i kryeministrit, pasi që dëshiron të shkojë në Hagë si qytetar e jo si kryeministër.