Haradinaj flet për monopolin e homoligimit: Nëse ka shkelje, e anulojmë

Kryeministri Ramush Haradinaj në konferencën e sotme për media ka deklaruar se nëse Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Infrastrukturës që rrezikon t’ia vazhdojë kontratën për homologimin e automjeteve kompanisë “EuroLab” bie ndesh me ligjin, ajo do të anulohet menjëherë.

“Nëse është shkelje ligjore, anulohet menjëherë”, tha Kryeministri Ramush Haradinaj.

Mirëpo, institucioni kosovar që është i thirrur për të mbrojtur konkurrencën dhe luftuar monopolet, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka më shumë se 1 vit që ka njoftuar se ky Udhëzim Administrativ bie ndesh me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” para më shumë se 1 viti ka publikuar hulumtimin për rrezikun që i kanoset tregut nga ky Udhëzim Administrativ.

Në atë kohë, ministri Pal Lekaj kishte refuzuar të deklarohet në kërkesat e shumta të redaksisë për këtë çështje.

Gjatë ditës së djeshme, shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova u ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta ndalin këtë Udhëzim Administrativ të Pal Lekajt.

BE: Nëse nuk e ndalni Pal Lekajn, do ta keni monopolin në homologim edhe për 10 vite

Sipas saj, nëse kjo nuk ndalet deri në muajit korrik të këtij viti, atëherë rrezikohet që të ketë monopol të tregut në homologimin e veturave.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte dhënë një opinion në atë kohë se ky Udhëzim Administrativ shpie në sjellje anti-konkurruese sepse i vendos ndërmarrjet tjera në pozita të pafavorshme. Aty predikohet që vetëm njëri nga subjektet afariste i plotëson kushtet për ofrimin e shërbimeve të homologimit.

Mirëpo, ministria nuk i ka marr parasysh vërejtjet e Autoritetit të vetëm që mbikëqyr konkurrencën e drejtë në mes të bizneseve.

Gjatë javës së ardhshme, Ministri Pal Lekaj pritet të raportoj para Komisionit për Zhvillim Ekonomik në lidhje më këtë Udhëzim Administrativ.