Ramush Haradinaj | Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj: Fëmijët Tanë të mos i Kemi më të Dobët se të Tjerët

Në Kongresin e 7-të të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se nga shkolla dihet si i ka punët një popull.

“Për me kuptu ni popull sa mirë i ka punët, shko vizitoja shkollën. Në shkollë e merr vesh kush është ai popull dhe në çfarë parametrash vepron”, tha Haradinaj.

Ai porositi punonjësit e arsimit që ta ndjejnë peshën e punës së tyre dhe të mos lejojnë që fëmijët kosovarë të jenë më të dobët se të tjerët në rajon.

“Është detyrë e jona t’i aftësojmë fëmijët tonë e të mos i kemi më të dobët se të tjerët në rajon”, tha Haradinaj.

Ai deklaroi se do të jetë vështirë për Kosovën që shkollimin t’ia përshtasë tregut të punës dhe kërkesave të ekonomisë.

“Vendet janë të detyrume me iu përshtat, popujt, kërkesave të ekonomisë.Do të jetë vështirë për ne si Kosovë që të gjitha temat peshojnë në ne, që ta gjejmë përgjigjen e duhur e me kohë. Jemi pak vonë edhe ashtu”, tha Haradinaj.

Kryeministri u zotua se do të zhgjidhet çështja e punonjësve të arsimit të viteve ’90.

“Jemi të vendosur me ec përpara, ashtu siç kemi qenë atëherë në vitet ’90.Statusin e punëtorëve të arsimit të viteve ’90, e kemi obligim, mos tjetër, moral. Do ta zbatojmë, do të vjen dita kur do ta zbatojmë”, tha Haradinaj.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës e Kulturës më 14 dhe 20 shkurt mbajti grevë, duke kërkuar miratimin e projektligjit për punonjësit arsimorë të viteve ’90.

Përfaqësues të sindikatës u takuan edhe me Ramush Haradinajn.