Kryeministri Haradinaj dhe komandanti i KFOR-it Giovanni Fungo - Foto: Facebook

Haradinaj Falënderon për Punën Komandantin e KFOR-it në Largim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it në Kosovë, general-major Giovanni Fungon.

Sipas një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj e ka falënderuar gjeneralin Fungo për punën dhe lidershipin e tij në drejtimin e misionit të KFOR-it gjatë kësaj periudhe dhe për ndihmën e dhënë për të ruajtur sigurinë në vend.

“KFOR-i ka dhënë në kontinuitet kontribut të madh në sigurimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe vazhdon të jetë faktor stabiliteti për Kosovën”, ka shkruar kryeministri në “Facebook”.

Giovanni Fungo është komandanti i 21-të i KFOR-it dhe i 8-ti nga Italia që ka drejtuar forcën paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

Fungo ka marrë detyrën e komandantit të KFOR-it më 1 shtator të vitit të kaluar.