Haradinaj falënderon Britaninë që është kundër idesë së Hashim Thaçit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka falënderuar Britaninë e Madhe për qasjen ndaj idesë së presidentit Thaçi për ‘korrigjim’ të kufijve.

Haradinaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka thënë se ministri britanik, Sir Alan Duncan, gjatë debatit të sotëm për Kosovën, e ka cilësuar këtë ide të “rrezikshme” për Ballkanin.

“Mirënjohës dhe falënderues për çasjen konsistente të Qeverisë së Britanisë së Madhe ndaj idesë luftënxitëse e destabilizuese të ndryshimit të kufirit të Kosovës me Serbinë, si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me shtetin fqinj. Në debatin e sotëm për Kosovën në Parlamentin Britanik, Ministri për Evropë Sir Alan Duncan e cilësoi si tejet të rrezikshëm për Ballkanin, debatin për ndryshimet e kufijve, që do të shfrytëzohej si presedan nga palët e treta”, ka shkruar kreu i Qeverisë.

Ndërkaq, Haradinaj ripërsëriti që lëvizja e kufijve është shumë “e ndjeshme dhe e rrezikshme”.

“Kufijtë në Ballkan nuk janë perfekt, dhe lëvizja e tyre është shumë e ndjeshme dhe e rrezikshme. E përsëris se Kosova është e interesuar për marrëveshje me Serbinë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke brenda kufijve aktual të 17 shkurtit 2008”, ka shkruar i pari i ekzekutivit të martën.

KALLXO.com raportoi se në Parlamentin britanik të martën është diskutuar për raportet Britani-Kosovë dhe zhvillimet në Kosovë dhe rajon, ku përveç kundërshtimeve ndaj ‘korrigjimit të kufijve’ ministra dhe deputetë kërkuan pezullimin e taksës ndaj produkteve serbe.