Haradinaj e pranon se zëvendës drejtori i ASHNA-së ka qenë në AAK

Kryeministri Haradinaj e ka pranuar se Shpëtim Selmanaj që u emërua si zëvendës drejtor i Agjencisë së Shërbimit të Navigacionit Ajror ka qenë koleg partie i partisë së Kryeministrit, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“E vërtetë është, ka qenë koleg një kohë të gjatë, kemi rrugëtu bashkë, por jo, këto selektimet i kanë proceset e veta, por ja nuk vjen si rezultat i këtij ndikimi. Unë nuk i di kushtet dhe proceduar se si ka ardh deri aty, por e vërteta është që ka qenë pjesë e ekipës sonë”, tha Haradinaj gjatë konferencës për media.

Para disa muajve, dy zëvendës drejtorët e ASHNA-së ishin larguar nga puna.

Emisioni Jeta në Kosovë kishte publikuara disa emisione rresht ku ish zëvendës drejtorët Bujar Ejupi dhe Ersen Shileku kishin treguar për keqpërdorimet e shumta dhe për mosrespektimin e kontratës së Limak-ut pas marrjes së aeroportit.