Haradinaj: Duhet të skuqemi për situatën e Trepçës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në manifestimin e 30-vjetorit të grevës të minatorëve tha se duhet t’i vijë “marre që e kanë lënë Trepçën në një situatë të keqe”.

“Ne duhet me na ardh marrë e mu skuq që e kemi lënë Trepçën në këtë situatë. Ne e kemi miratuar në Kuvend projektligjin për Statusin e Trepçës por nuk mjafton. Sa më shpejtë duhet të fillojë puna, do ta diskutojmë një plan veprimi dhe do të vendosim si do t’i qasemi Trepçës. Nuk do të ketë pozitë dhe opozitë, ne do të punojmë me secilin për rikthimin e Trepçës”, tha Haradinaj.

Minatorët e Trepçës kanë shënuar sot në Stantërg të Mitrovicës manifestimin tashmë tradicional ‘Java e Minatorëve’, duke përkujtuar kështu grevën e urisë 30 vite më parë, që asokohe lëkundi themelet e Jugosllavisë.