KALLXO 360 Haradinaj dhe Rugovasit nuk Lëshojnë Pe për Demarkacionin

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj mbajti sërish takim me rugovasit për ta kundërshtuar vijën kufitare me Malin e Zi.

Ai dhe banorët e zonës kufitare me këtë shtet thanë se do ta kundërshtojnë marrëveshjen e demarkacionit, ndërsa kërkuan nga deputetët që të mos e ratifikojnë kur të shkojë në Kuvend.

Kreu i AAK-së Haradinaj vazhdoi ta cilësojë demarkacionin të dëmshëm dhe me gabime.

Ai deklaroi se anëtarët e komisionit ndërkombëtar të ftuar për të shqyrtuar dokumentet e vijës kufitare nuk mund të bënin më tepër, pasi me këtë vijë është pajtuar delegacioni kosovar.

“Erdh qaj komisioni i jashtëm na tha mirë koka, po besoni qajo që ma ka thanë qaj diplomat, tha Ramush deri sa thonë komisioni juve kështu edhe s’ka tjetër s’kemi ku mi shti dorën, e kemi të pamundshme me shti dorën, në rast se komisioni juve tha insiston që kjo është në rregull,” tha Haradinaj.

Ekspertët ndërkombëtarë të caktuar nga ish-Presidentja Jahjaga raportin e tyre për vijën kufitare me Malin e Zi e paraqitën më 30 mars. Ata nuk gjetën shkelje në këtë demarkacion kufiri.

http://kallxo.com/raporti-plote-per-demarkacionin-dokument/

Ali Lajçi, përfaqësuesi i Pejës në Komisionin për Demarkacion tha se forcat e Malit të Zi po patrullojnë në vijën kufitare ende të paratifikuar.

“Mali i Zi sot po patrullon në vijat kufitare Kullë deri të Ura e Zhlepit, 5 mijë e 500 metra sikur e ka kryer punën dhe na ka qitë me atë kryerje në zbatim, domethënë ai po e zbaton vijën e vet të cilën e do ai, por pa vullnetin e shqiptarëve dhe pa e ratifikuar Kuvendi i Kosovës , prandaj nuk është i drejtë qarkullimi i tyre në atë vijë për gjoja inspektim apo mbrojtje të hapsanave,” tha Ali Lajçi.

Rasim Muriqi një banor i Rugovës tha se ky patrullim nuk do të lejohet.

“A ka mundësi me ju thanë se rugovasit nuk do të lejojnë patrullimin e atyre aty, derisa nuk është bërë vonë. Kur të bohet vonë nuk kanë ven as ata aty ku janë,“ theksoi Muriqi.

Rasim Mulaj, një banor i Deçanit, i pranishëm në takim tha se nëse deputetët e ratifikojnë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, këto dy shtete nuk do t’i kenë mirë punët.

“Këtu nuk ka fjalë shumë vëllezër, nëse këta parlamentarët tanë që ju kemi dhanë votën na e çojnë gishtin me ratifikua qetë kufi, ketë popull të Kosovës [e fusin] në luftë tanë jetën me Malin e Zi,” tha Mulaj.