Ramush Haradinaj me me përfaqësues të OVL të UÇK-së - Foto: Facebook

Haradinaj: Deri të Premten Veteranët i Marrin Pensionet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se veteranët e luftës së UÇK-së më së largu të premten do t’i marrin pensionet e parapara me Ligj.

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka thënë se në takimin me përfaqësues të OVL-UÇK, të kryesuar nga kryetari Hysni Gucati, i ka njoftuar se Ligji për rishikim të buxhetit, i cili është miratuar në Kuvend, do t’i dërgohet nesër Presidentit për dekretim.

“Premtoj se vitin e ardhshëm nuk do të kemi probleme të këtij lloji për pensionet e kategorive të lirisë”, ka shkruar Haradinaj.

Më shumë se 33 mijë veteranë nuk i kanë marrë pensionet që nga muaji gusht.

Qeveria e kaluar kishte njoftuar se buxheti i paraparë për pensionet e kësaj kategorie ishte harxhuar pothuajse tërësisht në periudhën janar-korrik 2017.