Qeveria e Kosovës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Haradinaj Dënon Ndërhyrjen e Serbisë në Fushatën Zgjedhore të Kosovës

Kryeministri Ramush Haradinaj nëpërmjet një postimi në Facebook dënoi ndërhyrjen e Serbisë në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës dhe unë personalisht si Kryeministër i Kosovës, dënojmë fuqishëm aktin e ndërhyrjes së institucioneve të Serbisë në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë”, tha Haradinaj në reagimin e tij.

Ai konstatoi se këto ndërhyrje “bien ndesh me parimin e fqinjësisë së mirë dhe cenojnë në mënyrë thelbësore qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”.

Më tutje Haradinaj integrimin e serbëve të Kosovës e konsideroi interes reciprok të të dy shteteve.

“Mirintegrimi i serbëve të Kosovës është interes reciprok dhe çdo përpjekje për të dëmtuar këtë qëllim do të konsiderohet si mosrespektim i vullnetit politik të tyre”, tha Haradinaj.

Reagimin e tij Haradinaj e përfundoi me porosinë që serbët e Kosovës kanë të drejtë vetë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

“Serbët e Kosovës kanë të drejtë të zgjedhin dhe zgjedhja e përfaqësuesve të tyre pa ndërhyrje do të respektohet nga autoritetet e Republikës së Kosovës”, shkroi Haradinaj.

Dje në Leposaviq qëndroi drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq.

Qeveria e Serbisë haptas përkrah vazhdimisht Listën Serbe në të gjitha zgjedhjet e Kosovës që nga themelimi i saj.

Oliver Ivanoviq, njëri nga liderët e serbëve të veriut, kundërshtoi më 8 tetor favorizimin që Qeveria e Serbisë po i bën Listës Serbe.