Takimi Haradinaj-Kapitanoviq | Foto: ZKM

Haradinaj: Demarkacioni do të Marrë Drejtim

Në një takim që zhvilloi sot me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë Marija Kapitanoviq, Kryeministri Ramush Haradinaj u zotua se së shpejti demarkacioni me Malin e Zi do të marrë një drejtim.

“Kryeministri Haradinaj theksoi se çështja e hapur e demarkacionit do të marrë së shpejti një drejtim dhe kjo do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në BE”, tha Haradinaj, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Kosova, kusht për liberalizim vizash nga Komisioni Europian e ka përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Vendimi i parë i Haradinajt pas marrjes së detyrës së Kryeministrit të shtunën e kaluar ishte shkarkimi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi.

Haradinaj edhe si Kryeministër, sikurse më parë në pozitën e kryetarit të AAK-së, deklaroi se kufiri me shtetin fqinj që ka njohur pavarësinë e Kosovës është në Çakorr e Kullë, pika që nuk përfshihen në marrëveshjen e demarkacionit që është ratifikuar tashmë me Malin e Zi.

http://kallxo.com/haradinaj-ende-nuk-kam-krejt-emrat-per-kabinetin/

Bile Haradinaj kur vizitoi javën e kaluar Ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga Pal Lekaj, i quajti të pashkollë gazetarët, pasi u pyet se çfarë mendonte për qëndrimin e Amerikës që nuk përkrah version tjetër të demarkacionit.

http://kallxo.com/haradinaj-nuk-deshiron-vonesa-ne-kryerje-te-puneve/

Por Haradinaj, sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e drejtuar prej tij, i tha ambasadores Kapitanoviq se vlerëson lart marrëdhëniet mes Kosovës e Malit të Zi.

“Ai tha se Kosova është e angazhuar për ruajtjen dhe ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe në këtë rrafsh i vlerësoi lart marrëdhëniet me Malin e Zi”, thuhet në komunikatë.

Haradinaj, duke vlerësuar angazhiin e Kroacisë për rrugën europine të gjithë ajonit të Ballkait Perëndimor, i tha ambasadores kroate se Kosova do të zbatojë të gjitha kriteret e përcaktuara me qëllim të përafrimit me BE-në.

“Anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë, OKB, NATO dhe BE, është e një rëndësie të veçantë”, tha kryeministri Haradinaj.

Teksa i uroi detyrën e Kryeministrit, ambasadorja kroate Kapitanoviq e siguroi Haradinajn se shteti i saj do ta mbështesë rrugën europiane të Kosoës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor.