Kufiri Kosovë- Mali i Zi | Foto: Facebook

Haradinaj: Demarkacioni nuk Është Temë që po Flen

Kryeministri Ramush haradinaj pas takimit që sot e pati me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, foli edhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Haradinaj deklaroi se kjo temë nuk është duke fjetur, duke paralajmëruar që përcaktimi i vijës kufitare me shtetin fqinj të shkojë në arbitrazh.

“Për demokrkacionin sikurse e dini nuk ësht ni temë që po flen, ka lëvizje në atë temë, sa më shpejt që t’i kemi rezultatet mund të përfundojë kjo temë në arbitrazh për shkak se versioni ekzistues nuk ka votë dhe s’ka përkrahje se besohet që është gabim”, tha Haradinaj.

Ai deklaroi se pret që BE-ja ta konsiderojë demarkacionin kushte të plotësuar, pasi kjo çështje të shkojë në arbitrazh.

“Në momentin kur të bijmë dakord për arbitrazh duhet të konsiderohet edhe nga BE-ja si çështje e zgjidhur edhe besoj se kështu do të ndodhë”, tha Haradinaj.

Nënshkrimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi është njëri nga dy kushtet për liberalizim vizash.

Haradinaj tha se së shpejti do të ketë lajme sa i përket liberalizimit.

“Mbaj shpresë shumë se deri në fund të vitit të kemi lajme sa i përket liberalizimit të vizave”, tha Haradinaj.

Në fund të shtatorit kur vizitoi Shqipërinë, Haradinajt iu kërkua nga Edi Rama që ta ndryshojë qëndrimin opozitar për demarkacionin.

http://kallxo.com/rama-beson-se-haradinaj-te-ndahet-nga-pozicioni-per-demarkacionin/

Por Haradinaj vazhdon të këmbëngulë se kufiri mes Kosovës e Malit të Zi është në Kullë e Çakorr që nuk janë përfshirë brenda territorit të Kosovës në versionin e marrëveshjes së nënshkruar në Vjenë në gusht të vitit 2015.