Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj: Demarkacioni Duhet të Votohet së Bashku

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj para gazetarëve ka thënë se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi duhet të votohet së bashku.

Para gazetarëve kryeministri Haradinaj ka thënë se procesi i Demarkacionit është drejt zgjidhjes.

“Historia do ta tregojë që nga e gjithë kjo ne kemi fituar të drejtën territoriale të vendit dhe lirinë e lëvizjes dhe e kemi nxjerrë Kosovën nga një pozicion shumë i rëndë. Këtë nuk kishim arritur ta bëjmë të vetëm, pa mirëkuptimin e shumë të tjerëve dhe tash ka rëndësi ta kemi mirëkuptimin e të gjithëve, Listës Serbe, Vetëvendosjes dhe çdo deputeti në Kuvend, se është një moment që duhet të jemi të gjithë bashkë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij thirrja e seancës për të dielën ishte nga vullneti i madh dhe i mirë pas arritjes së marrëveshjes për Demarkacion.

“Thirrja e seancës për të dielën ishte nga vullneti i madh dhe i mirë pas arritjes së marrëveshjes, por tema e Demarkacionit është temë që ka pritur me vjet dhe dëshiron konsultë me të gjitha grupet parlamentare, me të gjithë deputetët me kujdes, në mënyrë që të kemi një seancë të përgatitur mirë”, ka thënë më tutje Haradinaj.

Sipas Haradinajt ka një ndryshim në gjendjen faktike dhe marrëveshja mes presidentëve flet edhe për opsionin e rishikimit dhe korrektimit të gjendjes në drejtim të Çakorrit dhe Kullës.

“Me gjithë dyshimet, marrëveshja është një materie mes dy presidentëve të vendit. Unë vet si Kryeministër kam punuar gjithë kohës për këtë marrëveshje, në substancën e saj dhe i falënderojë të gjithë që kanë qenë të angazhuar”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se janë humbur 3 vjet për çështjen e Demarkacionit, ndërsa shtoi se duhet pasur kujdes në përgatitjen e seancës.

Sipas tij kjo marrëveshje nuk ka kthim prapa.

“Kjo marrëveshje dhe Ligji për ratifikimin që do t’i kalojë Parlamentit, duhet të jetë një dokument dhe duhet të votohen së bashku. Ne do t’i ndjekim të gjitha procedurat dhe përgatitjet për këtë”, tha në fund Haradinaj.