Ramush Haradinaj - Foto: ZPRK

Haradinaj dekoron Brigadat e Dukagjinit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dekoruar me medaljen “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” brigadat e Dukagjinit dhe përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së, Shoqatës së invalidëve të UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve të UÇK-së.

Haradinaj në 21 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit theksoi se ngjarje të mëdha kanë ndodhur në tokën e Dukagjinit por e vetmja herë që u bashkuam si në kohën e Lekë Dukagjinit ishte bashkimi në UÇK.

“U bashkuam dhe qëndruam në rrethim të hekurt, në ditë të vështira. NATO e prirë nga Amerika i dha hakun ushtrisë serbe. Në vitin 1999 na u dha e drejta jonë. Miku i mirë në ditë të vështirë, nuk ka mik ma të mirë se ai që të gjendet në ditë të vështirë. Kjo ishte një ngjarje që në të vërtetë ka bo kthesë, kjo ngjarje është humane, me të drejtë populli jonë e ka shiku qiellin dhe duke thënë paska Zot edhe për ne”, theksoi Haradinaj.

Më tej Haradinaj tha se më 24 mars të vitit 1998 në Gllogjan, Adem Jashari dhe luftëtarët e tjerë u ndjenë krenar se iu vazhdua pushka.

“Lufta e Gllogjanit është si ato lufta për të cilat vlen thënia e Pashko Vasës, kemi kalu nëpër lufta të rrepta por jemi nda me faqe të bardhë. Nderin e luftëtarit ai i Dukagjinit e ka të paprekur. Kot e kanë ata që mundohen me njollosë. Ne në Kosovë kemi me ditë me i respektu krejt etnitë. Të mos ndalemi sot kur jemi më afër me realizu të drejtën tonë”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Medalja “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” iu nda brigadave: Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”,

Brigadës 134 “Bedri Shala”, Brigadës 135 “Agim Zeneli”, Brigadës 136 “Rugova”, Brigadës 137 “Gjakova”, Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Shoqatës së  veteranëve të UÇK-së, Shoqatës së invalidëve të luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së familjeve të dëshmorëve të UÇK-së.