Ramush Haradinaj - Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj deklarohet për kërcënimet për largimin e kampit ushtarak 'Bondsteel' nga Kosova

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka deklaruar të premten se taksa ndaj prodhimeve serbe dhe nga Bosnja do të mbetet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia, pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve edhe me largimin e forcave amerikane në Bonstil.

Haradinaj ka thënë se kërcënimet rreth largimit të ushtarëve amerikanë janë ose të hershme ose të avancuara dhe një vendim i tillë mund të merret, po jo në rrethana ose lidhur me taksën.

Për Haradinaj, gjithë këto presion duke përfshirë edhe mundësinë e largimit të Bazës amerikane të Bondsteel, vijnë me direktiva të Presidentit Thaçi, njerëzve të tij dhe atyre që siç ka pohuar Haradinaj “shumë shpejt hoqën dorë nga taksa”.

Këto deklarime kryeministri Haradinaj i ka bërë pas akademisë për Idriz Ajetin mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës

Haradinaj ka thënë se “vrapimi që mu ba pro amerikanë që me tërheqë taksën kundër Serbisë nuk na ndimon në Kosovë në situatën aktuale”.

“Taksa mbetet deri në njohje të Kosovës dhe ne i bëjmë apel popullit amerikan, qeverisë dhe institucioneve amerikane që jo vetëm të qëndrojnë, por këtu janë në shtëpi të vet përjetësisht”, tha Haradinaj.

Kryeministri ka drejtuar një mal akuza ndaj presidentit Thaçi, pasi sipas tij, ai “i ka bërë dëme të mëdha vendit me idetë e tij” lidhur me deklarimet për ndarje.

“Diskutimet e tij e kanë pru gjendjen ku jemi sot. Deklaratat se nëse nuk hiqet taksa hiqet edhe Bondsteel janë produkt i Prishtinës, dhe kërkesë e politikanëve nga Prishtina për me rritë presionin për me heqë taksën për shkak se kanë hyrë në ndonjë obligim ndaj Vuçiqit dhe po duan me na qitë para aktit të kryer”, ka pohuar ai.

Ai ka thënë se do të ishte i pajtimit për të suspenduar për një kohë taksën, nëse do të kishte pasur një marrëveshje të pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë.