Foto: ZKM

Haradinaj bisedon me ministrin e Jashtëm gjerman për dialogun me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, progresin e bërë në këto 11 vjet të shtetndërtimit, në zhvillimin ekonomik, por edhe për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. 

Këtë ai e ka bërë gjatë vizitës zyrtare në Munich, në kuadër të konferencës së sigurisë.

Kryeministri Haradinaj, ka falënderuar ministrin Maas, për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, që nga paslufta deri në ditët e sotme në të gjitha fushat. 

“Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë falënderues ndaj Gjermanisë, kancelares gjermane Angela Merkel dhe popullit gjerman për ndihmën dhe përkrahjen që i ka dhënë Kosovës në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit, në aspektin ushtarak, ekonomik, rend dhe ligj”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar po ashtu rëndësinë që ka për Kosovën krijimi i Parkut Kosovaro-Gjerman për Inovacion dhe Trajnim.

Në këtë takim është diskutuar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe liberalizimin e vizave, për të cilën kryeministri Haradinaj mori mbështetjen e shtetit gjerman për angazhim, që Kosova dhe qytetarët e saj të kenë mundësinë e lëvizjes së lirë si të gjithë qytetarët e vendeve tjera.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, duke vlerësuar progresin e Kosovës tha se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike, ndërsa theksoi se të dy vendet do të vazhdojnë thellimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera të interesit reciprok. 

I pranishëm në këtë takim ishte edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.