Ramush Haradinaj - Kryeministër në dorëheqje

Haradinaj: Ata që ftohen nga Specialja, duhet të veprojnë si unë

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj në një intervistë dhënë për Radio Evropa e Lirë ka deklaruar se shembullin e tij duhet ta ndjekin edhe politikanë të tjerë që mund të ftohen nga Gjykata Speciale për tu intervistuar si të dyshuar.

I pyetur se nëse duhet të veprojnë edhe të tjerët si ai, Haradinaj ka thënë se kjo është mënyra më e mirë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, a do të duhej të vepronin kështu edhe të tjerët?

Ramush Haradinaj: Po, mendoj se pa dashur që të vendos një standard për secilin, por unë mendoj se kjo është mënyra sesi kam vepruar unë, përkundër faktit se nuk është e lehtë. E di se ka implikime të shumta si për mua, si për të gjithë ata që kanë pasur dëshirë që t’i prijë punës. Prapëseprapë mendoj se kjo është mënyra më e drejtë që ta ruajmë Kosovën, nderin e Kosovës, nderin e shtetit, nderin e institucioneve, por edhe nderin e luftëtarit shqiptarë.

Inervistën e plotë të Radio Evropës së Lirë me kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj mund ta lexoni në këtë link.

Ramush Haradinaj, të premten, më 19 korrik ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, pasi që ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për tu intervistuar si i dyshuar.

Ai kishte deklaruar se në Hagë dëshiron të shkoj si Ramush Haradinaj, e jo si kryeministër.

Haradinaj i ka bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Përveç Haradinajt, zgjedhjet i kanë kërkuar të gjitha partitë e tjera në Kosovë.