Burimi i Fotos - RTV Dukagjini

Haradinaj arrinë në Gjykatën Speciale

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj para disa minutave është paraqitur për intervistim në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.

Bashkë me Haradinajn është parë edhe bashkëshortja e tij, Anita Muçaj-Haradinaj.

Kryeministri në largim nuk ka pasur ndonjë deklaratë para mediave.

Ndërkaq, bashkëshortja e tij pasi e ka shoqëruar brenda ndërtesës së Gjykatës Speciale, ka lëshuar objektin duke mos u deklaruara as ajo para gazetarëve.

Haradinaj të premten e kaluar ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës, me arsyen se është ftuar për intervisitm nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Gjykata Speciale riktheu vëmendjen e opinionit në javën që lamë pas, me rastin e dërgimit të ftesave për intervistim kundrejt figurave të larta politike në vend, siç është kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj si dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Thirrja nga Dhomat e Specializuara për tu intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ishte motiv për Haradinajn që të jepte dorëheqje nga pozita e shefit të Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, edhe ish-zëdhënësi dhe anëtari i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi është ftuar të paraqitet sot në Gjykatën Speciale.

Publike janë bërë edhe ftesa të tjera që kanë pranuar ish-luftëtarë të UÇK-së për të udhëtuar drejt Hagës, në cilësinë e të dyshuarve apo edhe dëshmitarëve.

Të ftuar të tjerë por edhe persona që tashmë janë intervistuar në Dhomat e Specializuara janë edhe Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Remzi Shala, Nazif Mehmeti, Sokol Dobruna, Safet Syla, Sylejman Selimi, Lahi Brahimaj, Blerim Kuçi, Sebajdin Cena, Naim Maloku, Sokol Bashota, Bislim Zyrapi, Raimonda Rreci, Flamur Hoti e Ramiz Qeriqi.

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.