Foto: Zyra e Kryeministrit

Haradinaj: Anëtarësimi i Kosovës në BE, vital për stabilitetin e vendit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Europian është vital për stabilitetin, sigurinë dhe progresin e vendit dhe të tërë rajonit.

Ai e informoi Delegacionin e Partive Popullore Europiane për vizionin e tij në përafrimin e Kosovës më BE-në, që fokusohet në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe në përmbylljen e fazës finale të dialogut me Serbinë, duke na hapur rrugë që t’i bashkohemi familjes europiane dhe të anëtarësohemi në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë.

“Kosova është e përkushtuar që të përmbushë të gjitha obligimet e saja për t’u përafruar me agjendën evropiane dhe rruga e saj e vetme është integrimi euro-atlantik”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj pasi priti në takim Delegacionin e Partive Popullore Europiane, kryesuar nga Andrey Kovatchev, Asim Ademov dhe Elmar Brok.

Kryeministri Haradinaj njoftoi përfaqësuesit e Parlamentit Evropian për të arriturat e vendit në fuqizimin e sundimit të ligjit, nismën për reformën në administratën publike, në avancimin e raporteve për një fqinjësi të mirë, nevojën e përmbylljes së bisedimeve me Serbinë dhe progresin e arritur në fushën ekonomike të vendit.

“Anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është vital për stabilitetin, sigurinë dhe progresin e vendit dhe të tërë rajonit. Mbështetja e partive popullore për Kosovën në Parlamentin Evropian është i rëndësisë së veçantë që rrugëtimi ynë të rezultoi me sukses”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Bashkimi Evropian duhet t’i hap rrugë Kosovës për anëtarësim në familjen evropiane të cilës i takojmë dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Kryeministri Haradinaj konfirmoi para delegacionit të Partive Popullore Evropiane që Kosova po përmbushë agjendën e saj evropiane dhe kërkoi nga ta mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave.

Përfaqësuesit e Partive Popullore të Parlamentit Evropian përgëzuan Kryeministrin e Kosovës për të arriturat e vendit në këto vite të ekzistencës si shtet dhe ofruan mbështetjen e tyre në proceset e integrimit të vendit, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.