Haradinaj: Amerika i dha kuptim paqes e lirisë së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në ditën e Pavarësisë së ShBA-së ka marrë pjesë në manifestimin e saj në kampin Bondsteel, ku gjenden trupat amerikane.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook tha se ndjehet i lumtur që po feston me ushtarët që kujdesen për sigurinë e Kosovës.
“Nuk ka mënyrë më madhështore se të bashkohesh për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kampin Bondsteel, për të festuar mes marinësave, grave dhe burrave amerikanë, që kujdesen për lirinë tonë në partneritet me strukturën tonë të sigurisë, dhe që janë në shërbim të mbrojtjes së paqes anë e mbanë botës”, ka shkruar Haradinaj,
Tutje ai tha se Kosova dhe Amerika ndajnë vlerat e përbashkëta “duke nderuar të gjithë ata që janë flijuar për ta ngritur ShBA-në, si vendi i idealeve të lirisë dhe demokracisë, për të gjithë”.
“Besnikë të këtyre idealeve, të cilave iu prinë Amerika në botë, sot festojmë edhe ne, krah për krah me miqtë tanë”, ka shtuar Haradinaj.