Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor (Arkiv) - Foto: Facebook

Haradinaj fton në Kosovë kryeministrat e rajonit, ftesë edhe për Ana Brnabiq

Kryeministri Ramush Haradinaj ka ftuar në një takim kryeministrat e rajonit për të diskutuar në lidhje me zbatimit e MSA-së.

Ai këtë ftesë e bëri në mbledhjen e Qeverisë, ndërsa deklaroi se takimi mund të mbahet në fillim të muajit prill.

Ai ftesë i ka bërë edhe kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, ndonëse është i vetëdijshëm se ajo vështirë do të pranonte të vinte në një takim të tillë.

““Në fillim të prillit t’i ftoj kryeministrat e Rajonit, duke fillu nga kryeministrat e Rajonit, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, e pastaj shpresoj të Kroacisë, Bosnjës, e nëse vjen edhe e Serbisë, pse jo, edhe pse pak ma vështirë”, ka deklaruar Haradinaj para kabinetit qeveritar.

Ai para ministrave të tij ka treguar arsyet e një takimi të tillë.

“Unë kam shprehë dëshirë që të bashkëpunoj me ju dhe Ministrinë e Jashtme që të organizojmë një takim me kryeministrat e Ballkanit, të diskutojmë çështjet e zbatimit të MSA-së ose temave tjera. Ta ftojmë edhe komisionerin Hahn që të jetë këtu. Në këtë mënyrë ne do ta dëshmojmë përkushtimin tonë në zbatim të MSA-së, njëkohësisht edhe prioritetet në reforma”, ka thënë tutje kryeministri Haradinaj.