Hapja e kufirit Kosovë-Shqipëri, Zaev: Do doja t’u bashkohej dhe Maqedonia

Hapja e kufirit me Kosovën, nëpërmjet lehtësimit të procedurave të kalimit në dogana, është një nga premtimet kryesore të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili e përsëriti idenë edhe në mbledhjen e fundit të dy qeverive në Pejë. Dhe kjo “hapje kufijsh” përveç zemërimit që ka ngjallur në Serbi, gëzon mbështetje në Maqedoni, pasi kryeministri maqedon, Zoran Zaev e ka mirëpritur atë.

Duke komentuar deklaratën e Ramës se përveç Kosovës, Shqipëria do të dëshironte të hiqte kufijtë edhe me Maqedoninë, Malin e Zi e Greqinë, Zaev ka thënë se “edhe ai do të dëshironte të bënte të njëjtën gjë”.

“Edhe unë do të dëshiroja t’i hapnim kufijtë .Nuk shoh asgjë kontraverse në qëndrimin e kryeministrit shqiptar lidhur me hapjen e kufijve me fqinjët, përfshirë Maqedoninë. Kjo ide do të sillte edhe përfitime të mëdha ekonomike dhe do të ishte në të mirën e qytetarëve të të gjitha vendeve të rajonit” u shpreh Zaev në mesazhin e tij të fundvitit.

Më 29 dhjetor është nënshkruar marrëveshja për ngritjen e një pike të përbashkët kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa dhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj./Tv21