Gjendja e rrugëve në vend | Foto: Ministria e Infrastrukturës

Hapet Rruga që Çon në Brezovicë

Zyra për Informim e Ministrisë së Infrastrukturës tha për KALLXO.com se rruga që çon në qendrën e skijimit të Brezovicës është hapur për trafik.

“Dje është hapur për qarkullim rruga Brezovicë – Qendra e Skijimit. Tani, të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale në vend janë të qarkullueshme,” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Kjo ministri më pas me anë të një komunikate tregoi se  të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale “Vazhdojnë të jenë lehtësisht të qarkullueshme”.

Rruga Brezovicë-Qendra e Skijimit ishte e bllokuar nga data 5 janar e zhbllokimi i saj u bë katër ditë më pas.

Në një njoftim në uebfaqen e Ministrisë së infrastrukturës më 5 janar thuhej se për shkak të reshjeve të shumta të borës janë mbyllur për qarkullim përkohësisht rruga që lidh Kosovën me Maqedoninë në Glloboçicë dhe rruga tjetër Brezovicë-Prevallë.

“Njoftojmë se për shkak të reshjeve të shumta të borës që kanë rënë gjatë ditës së sotme janë mbyllur për qarkullim përkohësisht rrugët Glloboçicë-Tetovë, e cila e lidhë Kosovën me Maqedoninë dhe rruga tjetër Brezovicë-Prevallë.Ky bllokim ka ardhur si rezultat i rrëshqitjes se orteqeve të mëdha të borës. Zhbllokimi i këtyre rrugëve pritet që të bëhet nga nesër në mëngjes nga ekipet tona për mirëmbajtjen e rrugëve”, thuhej në njoftimin e MI-së.

Sipas Zyrës për Informim të Ministrisë së Infrastrukturës kompanitë e kontraktuara dhe menaxherët rajonalë me ekipe të tjera po vazhdojnë monitorimin dhe punën për pastrimin e të gjitha rrugëve duke lehtësuar qarkullimin dhe rritur sigurinë në komunikacion.

Ministria apelon që të gjithë qytetarët të kenë kujdes të shtuar në trafik dhe të kenë pajisjet e nevojshme dimërore gjatë udhëtimit.

KALLXO.com raportoi për vështirësi qarkullimi që nga rënia e madhe e borës pesë ditë më parë. Në këto pesë ditë janë shkaktuar 265 aksidente.

http://kallxo.com/265-aksidente-ne-pese-ditet-bore/

http://kallxo.com/bora-e-era-shkaktojne-kaos-ne-istog/

http://kallxo.com/bora-bllokon-fshatrat-e-shales-se-bajgores/