Hapet Qendra e Skijimit në Brezovicë

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka njoftuar përmes komunikatës se Qendra e Skijimit në Brezovicë është hapur për vizitorët dhe shfrytëzuesit e saj për rekreacion.

Në komunikatë thuhet se vendimi për hapjen e qendrës erdhi pas Raportit të Brigadës së Mbështetjes së Operacioneve të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, ku është vlerësuar se aktualisht nuk ka rrezik për paraqitjen e orteqeve në zonën e skijimit në Brezovicë.

Në raport thuhet mes tjerash se “Aktualisht bora është ngjeshur dhe lagur në sasi të konsiderueshme dhe mundësia e lëshimit të saj për të krijuar ortek është e vogël”.

Megjithkëtë raporti vlerëson se në terrenet malore të Brezovicës ku kushtet klimatike janë vazhdimisht të ndryshueshme, nuk mund të përjashtohet mundësia e paraqitjes së sërishme të orteqeve në të ardhmen.

Për të larguar rrezikun nga paraqitja e orteqeve të mundshme, njësitet e specializuara të Brigadës së Mbështetjes së Operacioneve të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, gjatë kësaj jave kanë bërë shpërthimin dhe neutralizimin e dy orteqeve të mundshme.

Me qëllim të parandalimit të rreziqeve të mundshme në zonën e Brezovicës në të ardhmen, AMMK ka kërkuar nga FSK që të vendosë një njësit permanent të kërkim shpëtimit në qendër gjatë kohës së vizitorëve dhe funksionimit të ski-liftit.

AMMK, ka kërkuar po ashtu edhe që të bëhet edhe një vlerësim i gjendjes së ski-liftit për rrezikshmërinë qe mund të paraqes ai gjatë shfrytëzimit.

Gjatë javës së kaluar, si pasojë e një orteku të borës në Brezovicë, ka vdekur Arian Daci,37 vjeçar, zëvendësministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, njëkohësisht djali i kryetarit të Akademisë së Shkencave, Nexhat Daci.

Për shkak të rrezikshmërisë së orteqeve, Qendra e Skijimit ë Brezovicë është mbyllur gjatë fundjavës së kaluar.

https://kallxo.com/qendra-e-skijimit-ne-brezovice-mbyllet-per-dy-dite/

https://kallxo.com/paralajmerohet-ortek-tjeter-ne-brezovice/

https://kallxo.com/trupi-i-pajete-i-zevendesministrit-mberrin-ne-mjekesi-ligjore/

https://kallxo.com/qendra-e-skijimit-ne-brezovice-mbyllet-per-dy-dite/

https://kallxo.com/rrezik-nga-orteku-qendra-e-skijimit-ne-brezovice-mbyllet-gjate-fundjaves/