Qendra e Informacionit e Gjykatës së Hagës në Sarajevë, Foto: BIRN

Hapet në Sarajevë qendra arkivë e Gjykatës së Hagës

Një qendër informacioni që siguron qasje në arkivat e rasteve të krimeve të luftës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë u hap në sallën ikonike në qytetin e Sarajevës.

Qendra e informacionit e Gjykatës së Hagës u prezantua në sallën historike Vijecnica të qytetit të Sarajevës të mërkurën, duke u dhënë njerëzve qasje elektronike në arkivat e gjykatës së OKB-së me qëllim kontributin në zhvillimin e drejtësisë tranzicionale në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më gjerë në rajon.

Një sallë gjyqësore e Gjykatës së Hagës u vendos gjithashtu si pjesë e Vijecnicës, e cila u rihap në vitin 2014 pasi u bombardua nga forcat serbe gjatë rrethimit të kohës së luftës të kryeqytetit boshnjak.

Kryetari i komunës së Sarajevës, Abdulah Skaka, i cili inauguroi qendrën e informacionit, tha se ajo përfaqësonte një tjetër hap drejt së vërtetës dhe drejtësisë.

“Salla e komunës është një simbol i vuajtjes, por gjithashtu një simbol që tregon se qyteti ynë është i pashkatërrueshëm,” tha Skaka.

“Arkivi është i rëndësishëm për studiuesit, studentët dhe mediat, si edhe për viktimat, sepse ai dëshmon për vuajtjet e tyre në luftën e kaluar, si edhe si ndëshkim për autorët e krimeve,” shtoi ai.

Kryetari i Këshillit të Kryetarëve për Qendrën e Informacionit, Ivo Komsiç, tha se bërja publike e arkivave ishte një moment i madh për qytetin e Sarajevës dhe për Bosnjën dhe Hercegovinën.

“Arkivi është e ardhmja jonë. Ne nuk po përballemi vetëm me të kaluarën, por edhe me të ardhmen. Pa të vërtetën, nuk ka drejtësi dhe pa drejtësi, nuk mund të përballemi me të kaluarën,” tha Komsiç.

Gabrielle McIntyre, shefja e zyrës dhe këshilltare kryesore ligjore e Theodor Meronit, kryetari i Mekanizmit për Gjykatat Ndërkombëtare, tha se gjykata e Kombeve të Bashkuara ishte një institucion pionier që mundësoi mbledhjen e provave dhe përcaktimin se kush ishte përgjegjës për krimet e kryera në ish-Jugosllavi.

“Ajo që ka arritur Gjykata, është bërë larg komuniteteve ku u kryen krimet. Prandaj, unë jam sidomos e kënaqur që kemi hapur këtë qendër në mënyrë që të mundësojmë qasje në dokumente dhe të përjetojmë një nga sallat e Gjykatës së Hagës, ku vizitorët mund të bëjnë pyetje, të mendojnë dhe të japin konkluzionet e tyre,” tha McIntyre.

Ajo tha se të kuptuarit dhe ndërgjegjësimi i mundësuar nga qasja në informacione është i një rëndësie jetike për brezat e ardhshëm, për të mësuar nga ngjarjet tragjike të luftërave dhe për të thënë “kurrë më”.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë u mbyll vitin e kaluar pasi paditi një total prej 161 personash, 88 prej të cilëve u dënuan për krime lufte.

Tetëmbëdhjetë u liruan nga akuzat, ndërsa 37 aktakuza u tërhoqën për shkak të vdekjes së të akuzuarit ose për arsye të tjera dhe 13 raste iu referuan gjykatave kombëtare në ish-Jugosllavi.

Puna e mbetur e gjykatës, përfshirë apelet në rastet e liderëve politikë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç po përfundohet nga Mekanizmi për Gjykatat Ndërkombëtare.