Foto: Kallxo.com

Hapet Ekspozita Bazë e Muzeut të Kosovës

Ambasadorë, përfaqësues të institucioneve, qytetarë e nxënës ishin pjesë e hapjes së ekspozitës bazë të Muzeut të Kosovës në pasditen e së premtes. Përmbajtja e ekspozitës përfshin një shumësi artefaktesh dhe eksponantesh nga historia e hershme e Kosovës deri te shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Ngjarja mblodhi dhjetra njerëz në hapësirat e Muzeut, e cila nisi ekspozitën me kërcim e muzikë nga Ansambli Kombëtar i Këngës dhe Valles “Shota”. Pas lojës së shkathët të Ansamblit, të pranishmit i adresoi Drejtori i Muzeut, Skënder Boshtrakaj.

“Kjo ekspozitë paraqet një vazhdimësi të jetës në këtë vend nga Neoliti [koha e gurit] deri në ditët e sotme,” ka thënë Boshtrakaj.

Ai po ashtu tha se ekspozita e mirëpret çdo kontribut, qoftë nga donatorët, interpretuesit e promovuesit e vlerave të trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Pas Boshtrakajt foli Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi, i cili tha se kjo ekspozitë është e vetmja e këtij lloji në vend.

“Eksponantet e prezantuara në këtë ekspozitë janë monumentet e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe pasqyrojnë identitetin kulturor, historik e kombëtar të Kosovës,” ka thënë Gashi.

Ai tha se ekspozita vlen për edukimin e njerëzve dhe qëllimi i saj ta mbajë gjallë tregimin për Kosovën, vend i cili, sipas tij, duhet t’i bëjë krenarë gjithë qytetarët e vet.

“Ekspozita e cila po përurohet sot përbëhet nga eksponante dhe artefakte të përzgjedhura dhe të dokumentuara nga ekspeditat e shumta kërkimore e shkencore që janë marrë nga institucionet tona dhe specialistë vendorë dhe ndërkombëtarë,” ka thënë ministri.

Gashi përmendi disa nga eksponantet më të veçuara të ekspozitës, ndër to medalioni i Probit, sarkofagu i plumbtë i Dërsnikut e monumenti i perëndeshës dardane nga Smira.

Kati i parë i ekspozitës mbizotërohet nga reliktet e moçme të gjetura në territorin e Kosovës mes kohës së gurit dhe mesjetës. Kjo pjesë përfshin armë, vegla, enë, gurë varri, monedha, stoli, figurina e gjësende tjera të kohës antike, romake e mesjetare.

Kati i dytë përqendrohet në historinë moderne të Kosovës, duke përfshirë periudhat e luftrave botërore, luftës së Kosovës dhe periudhën e pasluftës. Veç këtyre, ekspozita ngërthen një kthinë të kushtuar shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Mes tjerash, në këtë pjesë gjendet koburja origjinale e Isa Boletinit.

Në Muze po ashtu janë shfaqet një galeri personale e fotografes greke Fanny Sarri, si dhe videointervistat e zhvilluara nga Prishtina Insight dhe Oral History Kosovo që rrëfejnë tregimet e 15 njerëzve rreth përvojave në ditën e shpalljes së pavarësisë.

Muzeu i Kosovës qëndron hapur çdo ditë të javës veç të hanave nga ora 10:00 deri në orën 17:00.