Foto: Facebook
Hani i Elezit dhe Gjilani u Gëzohen Marrëveshjeve me Maqedoninë
Dy marrëveshjet e nënshkruara dje për kalimin e kufirit me letërnjoftim nga Kosova në Maqedoni, si dhe tjetra për hapjen e pikës së re kufitare të përbashkët për udhëtim rrugor ndërkombëtar ndërmjet dy shteteve në Bellanoc – Stançiq, janë vlerësuar nga Komuna e Hanit të Elezit dhe Komuna e Gjilanit, si marrëveshje e shumë lehtësuese për banorët.
Bashkim Sopa, zëdhënës i Komunës së Hanit të Elezit, tha për KALLXO.com se banorët e kësaj komunë më së shumti do t’i gëzohen marrëveshjes për kalimin e kufirit me letërnjoftime.
Sipas tij banorët e Hanit të Elezit brenda vitit shumë shpesh duhet që ta kalojnë kufirin shkaku i lidhjeve familjare, shkollimit etj.
Sipas Sopës kjo marrëveshje është shumë lehtësi e madhe për banorët.
“Sigurisht se banorët e Hanit të Elezi më së shumti do t’i gëzohen kësaj marrëveshjeje. Janë shumë arsye, afërsia me Shkupin dhe lidhjet familjare, shkollimi bizneset e vogla, bëjnë që banorët e Hanit të Elezit shumë herë brenda vitit duhet ta kalojnë kufirin dhe kjo gjithsesi do të jetë në lehtësi e madhe”, tha ai.
Por, për marrëveshjen tjetër për hapjen e një pike të re kufitare, ka reaguar kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në rrjetin social Facebook.
Ai ka shkruar se me nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Maqedonisë hapja e vendkalimit kufitar Stançiq – Bellanoc, tashmë po merr formë ligjore pasi që është bërë shpronësimi.
Sipas Hazirit qëllimi kryesor i hapjes së këtij vendkalim kufitar do të jetë jo vetëm për qarkullim të njerëzve por edhe të mallrave.
“Gjilani, Anamorava dhe afro gjysmë milioni banorë, do të kenë mundësinë e qarkullimit të lirë përmes Grykës së Karadakut në drejtim të Kumanovës. Vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiq, mes Gjilanit dhe Kumanovës, do ta ofrojë Gjilanin edhe me komunat tjera të Maqedonisë në kuptim fizik dhe gjeografik dhe ky është qëllimi kryesor i hapjes së korridoreve jo vetëm të qarkullimit të njerëzve, por edhe të mallrave”, tha ai.
Kjo marrëveshje u nënshkrua pas takimit bilateral që kishte ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Hashim Thaçi me homologun maqedonas, Nikola Poposki.
Të dy homologët e kanë vlerësuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë.
http://kallxo.com/kosova-dhe-maqedonia-pensionojne-pasaportat/
Megjithatë, ende nuk ka datë se kur do të implementohen këto marrëveshjeve.